ROLI I SHTYPIT ISLAM NË UNITETIN
FETAR DHE KOMBËTAR (1923-1944)
Prof. asoc. Dr. Fahrush REXHEPI
Përmbledhje
Studimi dhe trajtimi i vëmendshëm i literaturës dhe i shtypit periodik shqip të periudhës së viteve 1939-1944, tregon se ai ka pasur në
objektivin e vet, trajtimin e problemit kombëtar pavarësisht nga natyra
e specifika e organit apo përkatësia e institucionit, të cilit i takonte.
Pozicioni i shtypit ndaj çështjes kombëtare ishte në përputhje me
atë që vetë populli e kishte kërkesë të domosdoshme shpirtërore më
tepër se kurrë, që ishte çështja e fateve të kombit shqiptar. Në këto
rrethana kohore zuri vend të rëndësishëm edhe periodiku shqiptar islam i kësaj periudhe.
Kur flasim për çështjen kombëtare, është e domosdoshme të trajtohet edhe roli i fesë në këtë çështje, si për formimin e ndërgjegjes
kombëtare, ashtu edhe për edukimin e saj.
Dalja e revistave islame në atë periudhë kishte për qëllim edukimin fetar dhe moral të besimtarëve në përputhje me të gjitha normat e
fesë islame. Prandaj është e natyrshme që vendin qendror në përmbajtjen e shkrimeve në to të zinin shkrimet me karakter të mirëfilltë fetar.
Autorët e këtyre shkrimeve, ulema, hoxhë e fetarë të shquar paraqisnin përpara besimtarëve rrënjët historike të Islamit, shtrirjen e tij, pejgamberin e muslimanëve, festa e rite fetare, detyrimet e Islamit
etj.
Por, mbi të gjitha, vend të rëndësishëm në faqet e revistave zinin
shkrimet që kultivojnë moralin dhe normat islame, që kanë si synim të
edukojnë te njeriu virtyte më të mira, që mund të sintetizohen te një
njeri i vlefshëm për shoqërinë, për fenë dhe për atdheun.
Njohuritë për fenë dhe kulturën islame që jepeshin në faqet e revistave islame, ndërthureshin në mënyrë të natyrshme nga dijetarët islamë patriotë me edukatën për dashurinë ndaj atdheut të përbashkët,
Shqipërisë. Dashamirësia për njëri-tjetrin, që predikohej në faqet e
revistave të periudhës së Luftës së Dytë Botërore sipas moralit islam,
në rrethanat e Shqipërisë, ishte në të njëjtën kohë edhe mesazh bashkimi midis shqiptarëve për t’i bërë ballë armikut të përbashkët të tyre.
Në shkrimet e këtyre revistave për çështjen kombëtare më së tepërmi gjejmë të jenë shtruar çështje të karakterit historik. Shkrime për
ngjarje e figura të lavdishme të popullit tonë dhe evokime për to gjejmë që në zanafillën e lindjes së idesë kombëtare. Duke përmendur një
nga momentet më të thyera të historisë, nga të cilat varej fati i shqiptarëve, që ishte Kongresi i Berlinit, në shtypin e kohës lexojmë për
gjendjen që mbretëronte përkitazi me Shqipërinë: “të gjitha shtetet që
gulçojnë dhe dënesin pas plakës dhe për të ra pre në Siujdhesën Ballkanike vështrojnë njëri-tjetrin me kureshtje kush e kush të marrë ndonjë copë të Shqipërisë”.1
Toleranca ndërfetare
Jeta e përbashkët ndërmjet muslimanëve dhe pjestarëve të feve të
tjera është e hershme dhe ka mbretëruar për një kohë të gjatë. Gjatë 14
shekujve të kaluar e deri sot, kjo temë është një prej çështjeve me rë-
ndësi të veçantë, që ka shqetësuar shoqërinë e zhvilluar dhe përparimtare. Për besimtarët islamë, kjo dukuri shoqërore është shumë e njohur
dhe aspak problematike për t`u pranuar, sepse jeta e përbashkët, tolerante dhe paqësore buron nga bazat themelore të Islamit, në radhë të
parë nga Kur`ani famëlartë. Edhe vetë Pejgamberi a.s. kishte praktikuar këtë model në jetën e tij. Më pas një praktikë të tillë e vazhduan
edhe pasuesit e tij, dhe kështu kishte nisur bashkjetesa në mes njerëzve me besime të ndryshme, e cila ka vazhduar gjer në ditët e sotme e
duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nuk ka dyshim se fetë luajnë
një rol të rëndësishëm në stabilitetin e jetës së një shoqërie dhe në ruajtjen e harmonisë sociale në shoqëri. Islami, si fe dominuese tek
shqiptarët, ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e harmonisë ndërfetare
ndërmjet besimtarëve fesh të ndryshme në shoqërinë tonë shqiptare
dhe muslimane.
Në këtë kontekst edhe roli i shtypit islam shqiptar ka qenë mjaft i
rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve të mira ndërfetare, të ngritura mbi dijen dhe respektimin e bazave fetare hyjnore. Në tërësinë e
tij, shtypi shqiptar islam nuk qëndroi indiferent ndaj kësaj dukurie tepër të rëndësishme. Është tjetër problem se sa ka qenë real ky shtyp në
trajtimet parimore, duke u mbështetur në argumentet e librave të
shenjtë, por edhe të realitetit shqiptar.
Mbështetur në shumë tituj a shkrime që i hasim të botuar në periodikun shqiptar islam, mund të konstatohet se ky periodik jo rrallë ka
trajtuar çështje dhe problematika që ndërlidhen me tolerancën ndërfetare dhe unitetin politik kombëtar shqiptar. Kështu, në një hytbe të botuar në revistën “Zani naltë”, me titullin “Përmbi Dashunin e atëdheut”2 shohim se aty bëhej fjalë për unitetin e popujve pa dallim race,
ngjyre a gjuhe, pastaj për tolerancën e fesë islame ndaj njerëzve me
besim tjetër dhe se si Islami nuk toleron dhunën dhe imponimin në
çështje të fesë e të besimit. Për të gjitha këto çështje citohen argumente nga Kurani famëlartë.
Gjithashtu nëpër hytbe ulemaja, sikur bëhet e ditur nga shtypi i kohës ligjëronin se si shqiptari duhet të përgatitet për luftë në mbrojtje të
atdheut, në mënyrë që të mbetej mos i robëruar dhe të mos i shkelej
dinjiteti kombëtar: “Një musliman q’është miku i All-llahut dhe ashiku
(i dashur) i resulullahut, ai nuk duron t’i shkelet feja, s’duron t’i shkelet flamuri, s’duron t’i merret ndërkëmbë liria, s’duron ti cenohet atdheu dhe feja, sepse ato janë si binjake që nuk ndahen nga njëra
tjetra.3 “Feja në qoftë një xhevahir, një inxhi fort e vlefshme, atdheu
është sedefi (kutia) që ajo kokërr xhevahir mundet të ruhet vetëm në
këtë kuti”.4
Është me rëndësi të theksohet se hytbet fillonin së pari arabisht,
pastaj përktheheshin shqip. Hatibi (ligjëruesi) i drejtohej masës me
shprehjen “Vëllezër muslimanë shqiptarë”,5 që do të thotë se elementi
kombëtar ishte i pranishëm gjithherë. Madje, shpeshherë ndodhte që
në xhami të merrnin pjesë gjatë ceremonisë fetare edhe udhëheqës politikë, po dhe pjesëtarë të besimit të krishterë, dhe përmbajtja e hytbeve shpesh kishte karakter kombëtar e atdhetar, duke bërë thirrje për
unitet kombëtar dhe tolerancë fetare të popullit mbarë, pa dallim konfesioni.
Për ata që nacionalistët i quanin të pafe, kurse fetarët i konsideronin si njerëz që nuk janë të dhënë pas çështjes së kombit, Hafiz Ali
Korça në vjershën e tij “Muslimanizma dhe Nasionalizma”6 shkruante: “mua nga ca njersë më vjen mjaftë pështirë, nasionalizmën s’e
gjykojnë mirë”. Nasionalistët qenkan shqiptarë, fetarët nuk na qenkan
aspak atdhetarë”; “të tjerët për kundra çështjen e gjykojnë, nacionalistët pa fe i shikojnë”! “Nuk po e gjykojnë mirë të dy palët pak t`i
shpjegojmë (2) ani të dy fjalët”.7 “Nasionalistë nuk duhet me thanë
ajy bukurosh që dinin e ka lan”.8
Shqiptarët, edhe pse u përkisnin besimeve të ndryshme, asnjëherë
nuk kanë qenë të përçarë në baza fetare, sepse fetë e tyre, që të gjitha,
bënin thirrje për besimin në një Zot, dhe fetë për ta kanë qenë faktor i
bashkimit dhe unitetit kombëtar. Ja si e përshkruan këtë në një poezi
të titulluar “Jeni të gabuar!…” botuar në revistën “Kultura Islame”,
autori me inicialet K.O.M.: “Jeni të gabuar të gjithë more të mjerë,
me kryqe e me shpata nuk n’a prishni fenë”.9
Edhe pse shqiptarët u përkasin dy a tri feve dhe luten në vende të
ndryshme, në xhami ose në kisha, ata në esencë I luten një perëndie:
“Kisha e xhamia janë dy shtëpi që shqiptar’ i mirë, lut një Perëndi”.10
Pastaj: “rrojmë me një shpirt, na thonë shqiptarë, këtë le ta dijë gjithë
bota mbarë”.11 Nga këto vargje shohim se fetë dhe besimet mund të
jenë faktorë të rëndësishëm për unitetin e kombit dhe se ato ftojnë për
bashkim midis njerëzve e për tolerancë dhe ata që mundohen ta keqpërdorin fenë në dëm të çështjes kombëtare, duke e akuzuar atë si
shkaktar të përçarjes dhe duke e injoruar dhe mohuar fenë si çështje të panevojshme për shqiptarët, – janë të mjerë dhe të verbuar: “S’din q’të
na thonë, duan të përçajnë, me anën e fesë krishterë muhamedan”.12
Për të vazhduar: “Nëse feja thonë, dallon kombësinë, pse Naimi i
ndjerë se deshi Turqinë;/ Çajupi nga Jugu, Fishta nga Veriu pse kjo
far’ e hidhur ndër ta nuk mbiu”.13
Pra, sipas kësaj poezie, feja duhet të respektohet nga të gjithë,
varësisht se kush cilit konfesion i përket. Xhamitë janë vende në të
cilat duhet të luten të gjithë besimtarët, si të vjetrit ashtu edhe të rinjtë.
Roli i tyre gjithherë ka qenë edhe në shërbim të çështjes kombëtare:
“Eja pra rini, për kishë e xhami-Bëjmë atë be mor për kombësi”.(…)14
Le t’i vëmë, pra, në praktikë urdhëresat fetare që frymëzojnë për
bashkim e dashuri në mes popullit e shoqërisë dhe që kundërshtojnë
përçarjen dhe urrejtjen.
Fetë nuk janë faktorë të përçarjes
Edhe revista shqiptare islame “Njeriu”15 i kushton një rëndësi të
veçantë unitetit politik shqiptar pa dallim feje e krahine etnografike,
dhe theksonte nevojën, sidomos për unitet dhe tolerancë fetare ndërmjet shqiptarëve, sepse nën maskën e fesë, të huajt ishin munduar
shpesh të fusnin përçarje ndërmjet shqiptarëve. Në një artikull të botuar në faqet e revistës “Njeriu” me titullin “Feja dhe kombësia” të autorit Beqir Haqi, theksohej, se fetë e shumta ndër shqiptarët nuk kanë
asnjë faj për grindjet tona që shpeshherë vijnë si pasojë e mungesës
së kulturës sonë, e natyrës sonë ende të padisiplinuar.
Duke e parë kombin edhe fenë si dy elemente të rëndësishme për
shqiptarët, në këtë artikull më tutje silleshin një sërë të vërtetash themelore që duheshin mbajtur parasysh në jetën tonë. Ato të vërteta
themelore janë:
– “Fetë në vetvete nuk kanë asnjë faj për çdo zihje dhe grindje
t’onën- fajin t’a kërkojmë tek vehtja jonë, tek mungesa e kulturës s’onë, tek natyra jonë ende e padisiplinuar”.
– “Fetë duhet t’i njohim themelisht e jo për cipe dhe të vërtetat e
tyre morale t’i bëjmë parime praktike të jetës s’onë”.
– “Për fetë që nuk njohim të mos flasim kurrë, se, piksëpari, kur
nuk e njohim smund të flasim gjë tjetër veç se marrëzira, që na
ulin poshtë nderin dhe prestigjin t’onë, dhe së dyti, fetë tashmë
janë të kristalizuara e të mirënjohura dhe avokatësia jonë nuk u
shton as hije e as dritë”.
– “Feja s’e çalon kombësin dhe kombësija s’e ndalon fenë – ajo që
i prish të dyja është ignoranca, prandaj ti vihemi kulturimit të
mendjes dhe të shpirtit t’onë”.
– “Fetarizma nuk është fanatizma. Mund të jeshë fetar por jo fanatik. “Fanatizma e vret fenë për të trembë budallenjët me hijen e
saj”, ka thënë një i ditur. Voltaire ka thënë: “Fanatizma me fenë janë si Astrologjia me Astronominë: bija e marrë e një nëne
të mënçme”.
– “Kombëtarizma nuk është atheizma. Mund të jeshë fare mirë kombëtar edhe fetar, e para të lidhë me vendlindjen dhe me farë e
fisin t’ënd dhe e dytja me Zotin e gjithmbarshëm, që krijoi
gjithë rruzullimin, aty mbrënda dhe tyj e atdheun t’ëndë”.
– “Ta mbajm lartë dashurinë më kombin e më lirinë, se pa kombësi
e liri s’ka as atdhe, e pa atdhe s’ka as fe, se robi nuk është i lirë
që t’i falet as Zotit”.
– “Të mbajmë lartë bashkimin dhe vëllazërinë dhe t’i dëftojmë rrugën kujtdo që mundohet të na ndajë e të na përqajë”.16 Nga ky artikull shohim se shtypi shqiptar islam i kësaj periudhe
fton për njohje të feve dhe për respekt të ndërsjellë të besimeve, për
dituri dhe arsim, fton për unitet, për dashuri ndaj kombit e lirisë, se pa
komb e liri mund të themi lirisht se nuk ka as atdhe, e pa atdhe nuk ka
as fe e as liri fetare.
Bashkimi kombëtar
Për sa i përket besimit islam, përveçqë është tolerant, ai është edhe
një nga elementet që nuk pengojnë zhvillimin dhe kultivimin e ndjenjave kombëtare. Këtë mendim e ka arsyetuar edhe autori i botimit
“Refleksione në Islam” Dr. Hysen Çobani, i cili hedh një vështrim
historik mbi prejardhjen e dy besimeve kryesore në Shqipëri dhe në
trojet shqiptare në përgjithësi, pra të Krishterimit dhe Islamit. Në këtë
kontekst autori thekson: “Perandoria Osmane nuk fitoi asgjë nga
Islami i shqiptarëve, ndërsa shqiptarët, po (…). Shqiptarët nuk i pengonte feja të bënin aleanca me popujt e krishterë në luftë kundër Turqisë. Shqiptari musliman nuk e dallonte nga vetja shqiptarin e krishterë
dhe anasjelltas. Luftonin bashkë, gëzonin bashkë”. Dhe më poshtë vazhdon: “Populli ynë fitoi një element të ri plus ndaj fqinjëve, që e bëri
të paasimilueshëm nga të tjerët (…). Islami i shpëtoi shqiptarët nga
thonjtë e shovinistëve të egër grekë e sidomos atyre sllavë”.17
Rreth unitetit politik shqiptar dhe bashkimit kombëtar shkroi edhe
personaliteti i shquar islam dhe intelektuali Hafiz Ali Korça, i cili këtë
ndjenjë e shprehu përmes vargjeve në poezitë e tij, duke i kënduar pavarësisë së Shqipërisë, një ëndërr kjo e kahershme e shqiptarëve: “An
e mb’an bota sot e kuptoj / mëma, Shqipëria nga zgjedha shpëtoj”.18 Hafiz Ali Korça, këto të arritura i sheh vetëm në saje të bashkimit
dhe unitetit të shqiptarëve. Ai shprehet: “Të mos qe bashkimi a bëhej
kështu?19. Të mos qe bashkimi a vinin këtu?. Pastaj: “Të mos qe bashkimi derdhej shumë gjak, kujtoj edhe fqinjët na hidhnin në lak”.(…).20
Por, në këtë poezi që titullohet “Ndryshim i shpejtë kombëtar”, poeti H.Ali Korça shprehte brengosjen për shkak të lënies jashtë Shqipë-
risë etnike të më shumë se gjysmës së trojeve shqiptare. Megjithëkëtë,
ai shpresonte në bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet. Këtë dëshmi rilindasi H. Ali Korça e shpreh vrullshëm në vargje: “Gjithë vllazrit t’anë që na m’ben lark; duhet t’i mentojmë t’i futim në vark”. “Kur
ne t’mos kemi një bashkim në shtet ahere do jemi për lum e për det”.21
Në një poemë tjetër të Hafiz Aliut me titullin “Vajtimet e atdheut”,
ku përshkruhet gjendja e mjerë e shqiptarëve në Kosovë dhe bombardimet e Serbisë në Drenicë në ditën e kurban bajramit, ai vajton gra e
burra, foshnje që vriten dhe katundet e tyre që digjen sa kohë që ata i
përzënë nga vatrat e tyre: “Me s’tu nda zjarri, Me s’tu nda flaka, Me
s’tu nda vrasja, ndjekja, shuplaka”.(…).22
Prijës fetar e figurë e njohur historike e letrare e Rilindjes, H. Ali
Korça ngriti zërin ankuea ndaj Evropës, shteteve evropiane, si Angli,
Francë, Itali, të cilat në Konferencën e Londrës (1912) ndanë shqiptarët për se që atëherë për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë, nuk qanin
hallin. Ai këtë brengë e shpreh kundër Evropës së qytetëruar: “Qytetë-
rimi ku është vallë? Përse, Evropa nuk iu sheh hallë?”(…).23. Autori,
duke konsideruar Kosovën dhe Çamërinë si dy pjesë të pandashme të Shqipërisë, spikat: “M’i madhi krahi i Shqipërisë! M’e madhja qerdhe
e trimërisë!” (…).24 “Iu dha serbit e Greqisë”.25
Poeti, si Kosovën ashtu edhe Çamërinë, i sheh të pandara nga
Shqipëria, duke i ngritur ndjenjat patriotike në mbrojtje të dy krahëve
të fortë të Shqipërisë etnike: “T’i pritet hovi pak Serbisë, M’e dhe për
çamëritë fqinjës të Greqisë”, pastaj ofshanë “çani Kosovën dhe Çamërinë, për gjëmë zezët zgjateni zinë”.26
Mirëpo, është e qartë se bashkimi dhe uniteti i një kombi nuk
mund të sigurohet pa liri të mendimit e qetësi shpirtërore dhe pa të
drejta të barabarta, e këto të gjitha as që mund të ekzistojnë pa pasur
lirinë politike dhe pavarësinë kombëtare. Atdheu e shteti mbrohen vetëm me bashkim kombëtar, pavarësisht që shqiptarët kanë tri fe të
ndryshme, sepse fenë gjithsecili e ka për vete.
Shtypi shqiptar Islam i periudhës ndërmjet dy luftërave botërore
flet për nevojën e unitetit politik shqiptar pa dallim feje e krahine etnografike shqiptare, duke bërë thirrje për tolerancë dhe solidaritet
ndërmjet shqiptarëve dhe duke pasur të vetmin ideal atë të Shqipërisë
etnike:
“Në shpirtin dhe gjakun e çdo shqiptari duhet të vlojë një ide e
vetme, ideja e Shqipërisë etnike, tu e fillue qysh prej cakut më të lartë
të Kosovës në veri e deri te caku më i përtejm i Çamërisë në jug”.27
Çështja kombëtare ka gjetur shprehjen edhe nëpërmjet shkrimeve,
të cilat bëjnë thirrje për gjithë popullin në viset e çliruara dhe të bashkuara në Shqipërinë londineze, të Kosovës e të Çamërisë, për t’u ngritur për një ideal të vetëm për bashkimin e Shqipërisë etnike! Duke
propaganduar momente të caktuara historike, kujtohet dëshpërimi tronditës i shqiptarëve përkundrejt padrejtësive që iu bënë duke u copëtuar Shqipërinë etnike. Prandaj poeti thërriste: “Përse vallë të ndamun
kështu në tri copa? / Shpirti veç nga zemra, zemrës veç mushkërit /na
ashtë kjo e drejta që na ep Evropa. / Rantë zjarr i ferrit dhe u përzihtë”.28
Andaj nuk është e rastit që pikërisht nga radhët e dijetarëve shqiptarë islamë që nga Rilindja, po më parë dhe më pas, kanë dalë atdhetarë të njohur si: Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Hoxhë Voka, Sheh
Sabri Preveza, Imam Vehbi Dibra, Hoxhë Kadri Prishtina, Mulla
Idriz Gjilani, e sa e sa të tjerë që nuk kursyen asgjë për lirinë, pavarësinë, bashkimin dhe përparimin e mëmëdheut.29
Nuk është e rastit që shumë organizata dhe institucione fetare të
kenë qenë vatra të organizimit të shqiptarëve në luftën për çlirimin
kombëtar. Madje, përkushtimi atdhetar i shumë titullarëve dhe besimtarëve islamë është bërë i mundshëm pasi feja islame zotëron norma
të tilla të drejtësisë dhe të luftës për mbrojtjen e vetvetes nga ata që i
sulmojnë: “atyre që sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë,
ngase atyre u është bërë zullum, e All-llahu, me të vërtetë, ka fuqi t’u
ndihmojë”30.
Lexo Buletini 3: