EBU BEKRI
NJË JETË NË SHOQËRIM TË PEJGAMBERIT A.S.
Prof. asoc. dr. Fahrush REXHEPI
Përmbledhje
Në një periudhë të shkurtër kohore, jo më shumë se tridhjetë vjet
pas vdekjes së Pejgamberit a.s., udhëheqjen e shtetit islam e morën në
dorë katër kalifët myslimanë, të njohur në burimet dhe në literaturën
islame me emrin El-hulefau Err-Rrashidun (udhëheqësit apo sunduesit
e drejtë). Shprehja “kalif” ka kuptimin e udhëheqësit-sundimtarit, që
është sinonim i ndjekjes së rrugës së Pejgamberit a.s. në udhëheqjen e
myslimanëve dhe shtetit islam. Ndërsa me ‘hilafetin’ nënkuptojmë
udhëheqjen dhe pushtetin e myslimanëve të trashëguar nga koha e Pejgamberit a.s. Kjo nënkupton qeverisjen e shtetit islam si në aspektin e
udhëheqjes së riteve fetare, ashtu edhe në aspektin e udhëheqjes së politikës dhe çështjeve të tjera të myslimanëve që kanë të bëjnë me këtë
botë.1 Pra, me shprehjen ‘hilafet’ nënkuptojmë udhëheqjen dhe bashkimin e dy pushteteve, atij fetar që ka të bëjë me botën tjetër dhe atij
politik që ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve të myslimanëve në këtë botë.
Për këtë arsye, katër kalifët myslimanë që e kanë trashëguar Pejgamberin a.s në udhëheqjen e myslimanëve, janë quajtur udhëheqës të drejtë për shkak se kanë ecur rrugës së vërtetë të Pejgamberit a.s., rrugës së drejtë me të cilën është i kënaqur Allahu xh.sh. për të gjithë robërit e Tij. Periudha udhëheqëse e katër kalifëve, përfshirë këtu Ebu
Bekrin r.a., për nga drejtësia, toleranca, barazia dhe perspektivat tjera
ishte e ngjashme me atë të kohës së Pejgamberit a.s. që krijoi stabilitet,
paqe dhe mirëqenie të përgjithshme. Këto vlera nuk ishin përsëritur më
asnjëherë në periudhat e mëvonshme të shtetit islam.
Këtë periudhë të suksesshme të shtetit islam gjithsesi e kanë shënuar njerëzit e mëdhenj që kanë udhëhequr në të, siç ishin katër kalifët e
drejtë, koha e të cilëve konsiderohet periudhë e artë dhe më e bekuara
e historisë islame. Brezi i tyre ishte brezi më i mirë i gjithë njerëzimit.
Këta ishin shembull për çdo besimtar që erdhi më pas, për çdo popull,
për çdo shoqëri dhe për çdo familje myslimane.
Këtë gjeneratë Allahu xh.sh. e ka lavdëruar në shumë vende në
Kuran, si në ajetin: “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej
muhaxhirëve (emigruesve) dhe ensarëve (mikpritësve) dhe atyre që i pasuan ata në mirësi! Allahu është i kënaqur prej tyre dhe ata janë të kë-
naqur prej Tij”2
Pejgamberi a.s. për brezin e tij të sahabëve ka thënë: “Ata janë gjenerata më e mirë, pastaj ata që erdhën pas tyre e pastaj ata që erdhën
më pas”!3
Periudha e El Hulefau Err Rrashidinëve kishte filluar nga muaji
Rebiul-Evvel i vitit 11 h., kur kishte vdekur Muhamedi a.s. dhe kur të
gjithë myslimanët i kishin dhënë betimin Ebu Bekrit r.a. duke e njohur
për udhëheqës të tyre.
Lindja e Ebu Bekrit r.a.
dhe jeta e tij në periudhën e injorancës
Ebu Bekri r.a ka lindur në vitin 573 dhe është më i ri se Pejgamberi
a.s. për rreth dy vjet e disa muaj. Kjo do të thotë se në kohën e fillimit
të shpalljes së Kuranit, ai ishte 38 vjeç. Ai është rritur dhe edukuar në
Mekë, të cilën kurrë nuk e kishte lëshuar, përveç për qëllime tregtie.
Në mesin e popullit të tij ishte shumë i pasur, me sjellje njerëzore, i
njohur për bamirësi dhe moral të përsosur.
Emri i plotë i Ebu Bekër es-Sidikut, kalifit të parë të myslimanëve
është: Abudllah bin Ebi Kuhafa, Othman bin Amir, bin Amër, bin
Ka’b, bin Sa’d, bin Tejm, bin Murre, bin Ka’b, bin Lu’ej, bin Galib elKureshi et-Tejmi. Në gjenealogjinë e Ebu Bekrit familja e tij me të
Dërguarin e Allahut, Muhamedin a.s. takohen te Murre5 një gjysh i
përbashkët në lozën e tyre.
Sipas veprës së Neveviut “Tehdhibu Es Sire En Nebevije”, mund të
konstatojmë se emri i vërtetë i Ebu Bekrit r.a., është Abdullah, edhe
pse ka mendime se emri i tij është Atik. Megjithëse, lidhur me emrin
Atik të gjithë dijetarët janë të një mendimi se është llagapi i tij dhe jo
emri. Sipas një hadithi të transmetuar nga Tirmidhiu, Ebu Bekri këtë
llagap e ka marrë për shkak se është i liruar prej zjarrit (i liruar prej dë-
nimit me zjarr). Sipas disa të tjerëve, këtë llagap e ka marrë për shkak
të bukurisë dhe pastërtisë së fytyrës. Grupi i tretë mendojnë se me këtë
llagap është quajtur për shkak se në gjenealogjinë e tij familjare s’ka
pasur asgjë për të cilën do të kishte vërejtje.6 Ebu Bekri r.a. ishte quajtur edhe me disa nofka si: Es-Siddik (përkrahës i së vërtetës) dhe ElEvvah (ai që ka frikë të vërtetë nga Allahu xh.sh.).
Nëna e Ebu Bekrit është quajtur Selma bint Sahar bin Amir bin
Ka’b, kurse emri “Ummul Hajr” ishte llagapi i saj, që ka domethënien
“nëna e të mirave”7. Kështu thotë Ez-Zuhri, ndërsa këtë e përmend
edhe Ibën Asakiri.
Në periudhën e xhahilijetit Ebu Bekri r.a. ishte martuar me dy gra:
me Kutejletu bint Abdul Uza, me të cilën e kishte djalin Abdullahun
dhe vajzën Esmën, dhe tjetra ishte Umu Rrumman bint Amër El-kinanije, me të cilën e kishte djalin Abdurrahmanin dhe vajzën shumë të
mirënjohur, më pas grua e Pejgamberit a.s., Aishen r.a.. E kishte edhe
një djalë me emrin Muhamed, nga Esma bint Umejs dhe vajzën Ummu Kalthumin nga Habibe bint Harixhe bint Zejd.
Sa i përket gruas së parë, me të ishte martuar në periudhën para islame dhe nuk është e sigurt nëse ajo e kishte pranuar islamin apo jo.
Mirëpo, thuhet që Ebu Bekri u nda prej saj, sepse ajo nuk deshi ta pranonte islamin. Gruaja e dytë e Ebu Bekrit njihej me emrin Umu Rrumman. Ajo e kishte pranuar islamin herët, kishte migruar me Ebu Bekrin
në Medinë dhe shquhej si besimtare e përkushtuar dhe në përgjithësi
shumë e dalluar.8
Ebu Bekri r.a. ishte prej figurave udhëheqëse më autoritare në mesin e kurejshëve. Ibni Hishami në Siren e tij për Ebu Bekrin ka thënë:
“Ebu Bekri r.a. ishte figura më e lartë në mesin e kurejshitëve. Ishte
me karakter të dalluar, andaj kurejshitët për shumë çështje vinin dhe
kërkonin mendimin e tij”.9 Ebu Bekri r.a. ishte tregtar i suksesshëm i
cili udhëtonte nëpër vende të shumta. Ai kishte udhëtuar në Sham së
bashku me Ebu Talibin në një karvan tregtar ku kishte pasur fitime të mëdha dhe të pastra nga të cilat i furnizonte dhe i ndihmonte të afërmit, shokët dhe të varfrit të cilët e respektonin shumë.
Ebu Bekri ishte i ruajtur nga veset e këqija edhe në periudhën e
injorancës, siç ishte bixhozi, apo përdorimi i alkoolit etj. Transmetohet
nga Ebu Nuajmi se Aishja r.a. ka thënë: “Ebu Bekri r.a. ia ka pas ndaluar vetes përdorimin e alkoolit edhe në periudhën e injorancës”.10 Pra,
sipas të gjitha burimeve relevante Ebu Bekri r.a. nuk ka konsumuar alkoolin as në periudhën e xhahilijetit e as në atë të islamit. Ai, nuk kishte adhuruar idhujt edhe në periudhën e para islamit. Në një rast, gjatë
një tubimi ku ndodhej Pejgamberi a.s. dhe as’habë të tjerë kishte thënë:
“Nuk iu kam përulur idhujve asnjëherë”.11 Sipas shumë burimeve historike, edhe pse Ebu Bekri ishte ndër më të njohurit në fisin e vet në
periudhën e xhahilijetit, biografia e tij para islamit nuk është plotësisht
e njohur, përveç asaj që ka qenë tregtar i njohur, shok i Muhamedit a.s,
dhe ishte ndër të parët që kishte pranuar islamin.
Kontributi i Ebu Bekrit në Islam
Çdo figurë dhe personalitet që e kishte pranuar islamin, sidomos në
fillim të shpalljes e ka peshën dhe autoritetin e vet, mirëpo autoriteti i
personalitetit të Ebu Bekrit nuk është i njohur vetëm për faktin se ai e
kishte pranuar islamin ndër të parët, por personaliteti i tij është ndër më
të njohurit dhe për shkak të sakrificave dhe të kontributit të madh që ka
dhënë për islamin që nga fillimi i përhapjes së tij.
Shkaqet dhe rrethanat pse Ebu Bekri pa hezituar dhe që në fillim
kishte pranuar islamin janë se ai ishte shoku më i ngushtë dhe më i
afërt i të dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s. dhe e njihte atë, gjithherë
si njeri të sjellshëm, të edukuar dhe me moral të lartë. Arsyeja tjetër e
pranimit të islamit nga Ebu Bekri r.a. ishte edhe njohuria që ai kishte pasur për fenë e paraardhësit të tij dhe të arabëve tjerë, Ibrahimit a.s.
(fenë e drejtë dhe të vërtetë) dhe njohuritë që ai kishte nga librat e më-
parshëm, të cilët kishin paralajmëruar për ardhjen e një të dërguari nga
mesi i arabëve, madje nga mesi i vet fisit kurejshit nga i cili rrjedh
edhe Ebu Bekri r.a.
Në lidhje me këtë që u tha më sipër, përmendim edhe ngjarjen që
lidhet me Ebu Bekrin, i cili vetë në një rast ka thënë: “Mora rrugë për
në Jemen, para shpalljes. Gjatë rrugës takova një të moshuar nga banorët e Ezdit, i cili kishte lexuar nga librat qiellore dhe posedonte njohuri
të shumta. Kur më pa tha: A jeni nga Haremi (vend i Qabesë -Meka)? I
thashë: Po jam nga familja e Qabesë! Më tha: Kurejshit? I thashë: Po
nga Kurejshët. Më tha: Nga Tejmët (fisi i Ebu Bekrit)? I thashë: Po,
jam nga loza e Abdullah bin Uthmani bin Tejm bin Murres. Ai burri
më pas e lajmëroi se së shpejti do të jetë shok i një të dërguari (Pejgamberi) që do të jetë i shpallur në Harem (Qabe-Mekë ).12 Edhe Rebia
bin Ka`be i kishte thënë në një rast Ebu Bekrit se do të vijë nga populli
yt një i dërguar, këshilltar i të cilit do të jesh ti dhe pas vdekjes së tij, ti
do të jesh Kalif (zëvendës – udhëheqës). Këtë çështje Ebu Bekri r.a. e
kishte mbajtur të fshehur në veten e tij duke mos e publikuar asnjëherë.13
Bazuar në lidhjet e afërta që Ebu Bekri i kishte me Pejgamberin
a.s., shumë prej kurejshitëve në fillim të shpalljes shkonin te Ebu Bekri
dhe e pyetnin se ç`po ndodh me shokun tënd? Ebu Bekri ua kthente:
Ç`po ndodh! Ata i përgjigjeshin: Shoku yt (Muhamedi) po fton në besim në një Zot të vërtetë dhe po e quan veten pejgamber! Ebu Bekri u
përgjigjej atyre: Po, ashtu është. Pas qarkullimit të këtyre fjalëve në
mesin e mushrikëve kurejshë, Ebu Bekri del dhe shkon te Muhamedi
a.s. dhe i tregon për atë që flitej në popull. Pejgamberi a.s. i tha Ebu Bekrit: O Ebu Bekër! Me të vërtetë Zoti im më ka bërë mua përgëzues
dhe udhëzues, më ka bërë mua ndjekës të rrugës (thirrjes) së Ibrahimit,
më ka dërguar mua për mbarë njerëzit. Ebu Bekri r.a. i tha Pejgamberit
a.s.: Ti asnjëherë nuk ke gënjyer dhe je zotërues i kësaj shpallje madhështore dhe unë do të vihem në përkrahjen tënde.14
Për sa i përket pranimit të islamit nga Ebu Bekri r.a. disa historianë
konsiderojnë se ai është i pari që e kishte pranuar islamin. Sipas Ibni
S`adit një grup sahabësh në një rast kishin thënë: “I pari që ka kaluar
në islam është Ebu Bekër Es-Siddiku”.15 Ndërsa Ibni Hishami konsideronte se para Ebu Bekrit islamin e ka pranuar Aliu r.a. dhe Zejd bin
Harithi. Kur është fjala për orët, ditët apo edhe javët, mendojmë se nuk
është edhe fort me rëndësi koha, sepse secili nga myslimanët e parë islamin e ka pranuar nga pozita dhe rrethana të veçanta. Këtej mund të
konsiderojmë se Ebu Bekri ka mundur të jetë i pari që e ka pranuar islamin nga të rriturit, ndërsa Aliu r.a. i pari nga të rinjtë, ndërsa Zejdi i
pari prej robërve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.
Tirmidhiu dhe Ibën Hibani përmendin fjalët e Ebu Se’id el-Hudriut
se Ebu Bekri ka thënë: “Vallë, a s’jam më i denji?! Domethënë për kalifatin. “ Vallë, a nuk e kam pranuar i pari islamin! “Vallë, a s’kam qenë bashkudhëtar i kësaj e i asaj?! Vallë, a nuk kam qenë shok i filanit e
filanit?!”
Lidhur me pranimin e islamit nga Ebu Bekri r.a., Ibën Asakiri në-
përmjet El-Harisit përmend fjalët e Aliut r.a., i cili kishte thënë: “ Burri
i parë që e ka pranuar islamin ka qenë Ebu Bekri”.16
Është me rëndësi të themi se Ebu Bekri r.a. shumë shpejt iu përgjigj thirrjes islame. Sipas transmetimit të Ibni Hishamit, Pejgamberi
a.s. në lidhje me pranimin e islamit nga Ebu Bekri kishte deklaruar:
“Askënd nuk e kam ftuar në islam e që tek ai të mos është vërejtur një
mëdyshje dhe pavendosmëri pos Ebu Bekrit që nuk kishte shfaqur kurrfarë hamendje”.
Veçoritë fizike dhe cilësitë e Ebu Bekrit
Veçoritë e konstruktit fizik të Ebu Bekrit më së miri i ka përshkruar
vajza e tij Aishja. Ajo e përshkruante me këto fjalë: “Ka qenë burrë me
ten të bardhë, thatim, me pamje që shprehte disponim të vazhdueshëm,
i kërrusur, me gunë të vjetërsuar e cila varej lirshëm në belin e tij për
shkak të fizikut thatak, me eshtra të dalë të fytyrës, sy të thelluar (groposur), ballë të sheshtë dhe duar në të cilat nuk kishte asnjë qime.18
Ndërsa Ibën Sa’adi përmend një thënie nga Aishja r.a., të cilën një-
herë një person e kishte lutur që t’ia përshkruante Ebu Bekrin, kurse
ajo ishte përgjigjur: “Ishte njeri lëkurë bardhë, i dobët, me faqe të thara, i përkulur. S’lejonte që këmisha të mos ia mbulonte kofshët. Kishte
fytyrë të dobët, sy të dalë, ballin të sheshtë, pa qime nëpër gishta. Ja
kështu ishte ai!”19
Sa u përket veçorive të personalitetit dhe karakterit, ato janë të
shumta dhe të gjata, ngase ai vërtet ishte dashamirës, i turpshëm,
shumë i devotshëm, i fortë në personalitetin e tij. Ishte tregtar besnik, i
cili e ruante nderin e vet, kishte pozitë, ishte i begatuar me pasuri dhe
me moral, nuk gënjente, por e fliste vetëm të vërtetën.
Ebu Bekri kishte imanin më të lartë dhe më të plotë prej të gjithë
njerëzve, siç e ka dëshmuar Pejgamberi a.s., kur kishte theksuar se sikur të matej imani i Ebu Bekrit me imanin e tërë Ummetit, imani i Ebu
Bekrit do të peshonte më shumë!
Kishte sahabë që ishin më trima se Ebu Bekri dhe më të ditur se ai,
por nuk kishte me iman më të plotë se ai. Kurani dëshmon për shumë
rrethana lidhur me të, si p.sh në ajetin: “Atij që i jep lëmoshë edhe është
i devotshëm dhe atë më të mirën e konsideron të vërtetë, atij do t`ia lehtësoj rrugën”.20 Ngjashëm sinjalizon edhe ajeti vijues: “Me të vërtetë,
atyre që thonë: “ Zoti ynë është Allahu, pastaj janë të vendosur u zbresin melekët: Mos kini frikë dhe mos u pikëlloni dhe gëzohuni për
Xhenetin, i cili është premtuar”.21 Dhe fjala tjetër e Allahut xh.sh. në
Kuran: “Kur në të ndodhej vetëm miku i tij, kur ata të dy ishin në shpellë dhe kur ai i tha mikut të vet: “Mos ki frikë, Allahu është me ne!”.22
Kur ndodhi nata e Israsë (nata e udhëtimit prej Mekës në Jerusalem), mushrikët kurejshë e shpallën Pejgamberin a.s. gënjeshtar dhe donin ta bindnin Ebu Bekrin r.a. që ta braktiste fenë e tij, andaj nxituan t`i
thoshin: “Dëgjo si flet miku yt!” Mirëpo, ai u përgjigj: “Për Allahun,
nëse ai e thotë këtë, e ka thënë të vërtetën, ngase ai më ka treguar se
lajmi vjen prej qiellit në tokë, në çfarëdo pjese të natës dhe ditës, dhe
unë i besoj”.
Ndikimi i Ebu Bekrit në pranimin e islamit nga të tjerët
Ndikimi i Ebu Bekrit r.a. në përqafimin e islamit tek të tjerët është
shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh famën dhe popullaritetin që
kishte ai në mesin e kurejshitëve. Në saje të këtij autoriteti, ai filloi t`i
thërrasë në islam ata që u besonte, që e vizitonin dhe ata që rrinin së
bashku me të. Si rezultat i thirrjes së tij, Islamin e përqafuan Zubejr
Ibën Avam, Othman Ibën Afan, Talha Ibën Ubejdull-llahu, S`ad Ibën
Ebi Vekas, Abdurrahman Ibën Auf, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë
këta. Të gjithë emrat e përmendur në shoqërim të Ebu Bekrit shkuan te Pejgamberi a.s. dhe ai ua prezantoi Islamin, u lexoi pjesë nga Kurani
dhe i informoi mbi të vërtetat e Islamit, me ç`rast besuan.
Sipas një ngjarjeje, transmetimi i së cilës fillon nga Muhamed Ibën
Amr El-Vakidij, Talha Ibën Ubejdull-llahu ka thënë: “Isha në tregun e
Basrës, ku takova një murg në manastirin e tij, i cili thoshte: “Shikoni a
ka ndonjë njeri nga Meka”? Po, i thashë unë jam nga atje”, tha Talha:
A ende nuk është paraqitur Ahmedi, tha ai. Unë e pyeta se kush ishte
Ahmedi, ai më tha: Ai është i biri i Abdullahut…dhe do të jetë i fundit
nga pejgamberët. Ai do të paraqitet këtë muaj në Mekë…”. Mua kjo
gjë më bëri shumë përshtypje, andaj shkova në Mekë dhe pyeta se a ka
diçka të re? Ata më thanë: “Po Muhamedi është bërë i dërguar, ndërsa
Ebu Bekri është bashkuar me të”. Atëherë shkova te Ebu Bekri dhe e
pyeta: “A me të vërtetë e pranove fenë e tij”? Ai tha: “Po”. Që të dy
shkuan te Pejgamberi a.s., ku Talha e deklaroi Islamin në prani të Muhamedit a.s.” Kur e kishte pranuar Islamin Talha, Neufel Ibën Huvejlid
Ibën El-A`devie, i cili quhej edhe luani i kurejshëve, i kishte lidhur
Talhan dhe Ebu Bekrin me një litar. Për këtë arsye, ata i quajtën “ElKarnejn” (dy shokët).23
Ebu Bekri r.a. ishte ndër të parët që kishte përjetuar vuajtje dhe
presion nga mushrikët kurejshitë gjatë përhapjes së Islamit. Kur ai kishte kërkuar nga Pejgamberi a.s. që Islamin ta përhapnin haptas dhe
pasi që këtë kërkesë e kishte pranuar Muhamedi a.s., Ebu Bekri r.a. doli përpara të gjithëve dhe filloi të fliste, ndërsa i dërguari ishte ulur dhe
dëgjonte. Në këto rrethana jobesimtarët iu vërsulën njeriut që publikisht e mbajti fjalimin e parë për Islamin dhe të gjithë myslimanëve që
ishin në xhami, të cilët i rrahën pa mëshirë. U`tbe Ibën Rebia iu kishte
ofruar Ebu Bekrit dhe filloi t`i mëshonte me sandale të riparuara e t`ia
fërkonte ato në fytyrë, derisa erdhën të afërmit e Ebu Bekrit të cilët i
larguan jobesimtarët e pamëshirshëm.
____________________________________________________________________________________
Lexoni Buletini 4: