Abstrakt
Shkenca e akaidit-besimit është shkenca e monoteizmit, shkenca
e bazave dhe principeve të fesë islame, shkenca e kelamit, shkenca me të cilën njeriu mund të vërtetojë besimin e tij fetar nga
argumente të prera.
Ajo është shkencë që merret me çështje të besimit, si: krijimi i
botës, për të arritur njohjen e ekzistencës së Zotit, çfarë është e
detyrueshme për Të, çfarë është e pamundur dhe e lejueshme
nga cilësitë; pastaj, çfarë është e detyrueshme për të dërguarit,
çfarë është e lejuar dhe çfarë është e pamundur për ta si dhe në
çështje të tjera që i përkasin botës metafizike, sikurse është besimi-imani në engjëjt, librat qiellorë, ringjallje, sirat, shpërblim dhe
ndëshkim, lumturi të përhershme dhe vuajtje.
Shkenca e tevhidit/monoteizmit është një nga shkencat më të
nderuara dhe ka një status të lartë, sepse qëllimi i saj është njohja e ekzistencës së Krijuesit të Lartësuar, i cili i ka të gjitha
atributet e përsosmërisë, të bukurisë dhe të madhështisë. Monoteizmi islam ka ndikim në drejtësinë e individit dhe të shoqërisë
njerëzore. Përmirësimi i veprave varet nga besimi i drejtë, sepse
besimi është shtylla dhe baza e fortë mbi të cilën bazohet godina e Islamit dhe se pa të shtyllat e tij nuk do të vendoseshin dhe sistemi i tij nuk do të funksiononte si duhet. Prandaj, Kurani i kushtoi vëmendje të madhe besimit të drejtë, konsolidimit të parimeve të tij dhe pastrimit nga iluzionet dhe dyshimet. Besimi i
devijuar çon në degradim të sjelljeve shoqërore.
Fjalët kyçe: Allah, Muhamed, akaid, kelam, iman.